Kurti: Prekazi, kryeqyteti i kryengritjes sonë
- "Sa herë që vjen 12 qershori, rikthehemi në Prekaz, në këtë vend që paraqet kryeqytetin e kryengritjes sonë", tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Në shënim të 26-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Prekazi, vendi i komandantit legjendar Adem Jashari, është kryeqyteti i kryengritjes së Kosovës, transmeton Anadolu.
Kurti i cili bashkë me zëvendëskryeministren në detyrë, Donika Gërvalla dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri homazhe në Kompleksin Memorial "Adem Jashari", në Prekaz, e quajti të jashtëzakonshme aq sa edhe të papërsëritshme, familjen Jashari.
"Sa herë që vjen 12 qershori, rikthehemi në Prekaz, në këtë vend që paraqet kryeqytetin e kryengritjes sonë, në këtë vend të familjes së jashtëzakonshme Jashari, aq të jashtëzakonshme saqë të papërsëritshme dhe të kryekomandantit Adem Jashari, kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte bartëse e procesit të lirisë, që para 26 vjetëve u shoqërua edhe me ndërhyrjen e avionëve të NATO-s", tha mes tjerash Kurti.
Ai u shpreh se me 12 qershor, jemi përplot krenari për të arriturat tona, për shtetin e lirinë që gëzojmë, por njëkohësisht sipas tij edhe me mall e pikëllim për "ata bij e bija që nuk janë në mesin tonë, e ishin më të mirët sepse u sakrifikuan, e u flijuan për çlirimin e vendit dhe për lirinë e popullit".
Me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, Kurti gjithashtu bëri homazhe edhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.
Kosova u çlirua përfundimisht nga Serbia në qershor të vitit 1999.
Në qershor të vitit 1999 në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s si dhe administrata përkohshme e Kombeve të Bashkuara. Kjo u bë pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, udhëhequr nga SHBA-ja, kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, Serbi e Mal të Zi.